Kuvendi i Republikës së Kosovës

Seanca plenare e Kuvendit

25.04.2024

Kuvendi i Republikës së Kosovës nën drejtimin e nënkryetares Saranda Bogujevci, zhvilloi sot seancën plenare të radhës, ku puna kryesore ishte ratifikimi i katërmbëdhjetë marrëveshjeve ndërkombëtare.      

Me fillimin e seancës, kryetari i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, kërkoi që të plotësohet rendi i ditës me një pikë jashtë radhe për diskutimin e raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe të raportit të Freedom House.

Kryetarja e GP të VV-së, Mimoza Kusari Lila propozoi që këto raporte të diskutohen në një seancë të veçantë.

Kryetari i GP të LDK-së, Arben Gashi dhe deputeti i AAK-së Besnik Tahiri po në emër të të grupeve parlamentare të tyre, në mbështetje të propozimit të PDK-së kërkuan që ky diskutim të zhvillohet sot.

Pas deklarimeve të grupeve parlamentare, drejtuesja e seancës e hodhi në votim kërkesën GP të PDK-së për plotësimin e rendit të ditës, i cili nuk u miratua.

Më pas seanca vijoi punimet me deklarimet jashtë rendit të ditës, ku drejtuesja e seancës, znj. Bogujevci mori fjalën në emër të Grupit Parlamentar të VV-së.

Në fjalën e saj lidhur me votimin në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë Këshill, nënkryetarja Bogujevci falënderoi secilin pjesëmarrës në këtë proces, sikurse edhe diskuesit e vendeve të ndryshme që morën fjalën dhe paraqitën qëndrimin në përkrahje të Kosovës, si dhe të gjithë ata që votuan pro saj. Bogujevci një falënderim të veçantë pati për raportuesen Dora Bakoyanis, për angazhimin dhe dedikimin e saj të veçantë. Po kështu ajo falënderoi në mënyrë të veçantë delegacionin e Shqipërisë, të udhëhequr nga Adelina Gjylameti, ambasadorin e Shqipërisë në Strasburg, delegacionet e Maqedonisë së Veriut, Suedisë dhe Malit të Zi që i qëndruan pranë delegacionit të Kosovës gjatë këtij procesi.           

Pas ezaurimit të kohës, nga diskutimet e deputetëve të tjerë për pikën deklarime jashtë rendit të ditës, seanca vijoi punimet me pyetjet parlamentare. 

Më pas, seanca vijoi punimet nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili theksoi se për shkak të procedurës së votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, me prani të 80 deputetëve në sallë, për mungesë të kuorumit, nga pika 4 deri në pikën 16 do të barten në një seancë tjetër.

Seanca vijoi me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për zyrtarët publikë, arsyetimin e të cilit e bëri ministrja Albulena Haxhiu, kurse në emër të komisionit parlamentar arsyetimin e bëri deputeti Nijazi Isaku. Pas diskutimeve, me 61 voto pro Kuvendi miratoi projektligjin në shqyrtim të parë. 

Arsyetimin e Projektligjit nr. 08/L-300 për provimin e maturës shtetërore e bëri ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ndërsa për mungese kuorumi i njëjti u bart për votim në seancë tjetër.

Kuvendi gjithashtu miratoi Projektrezolutën për vlerësimin e punës së Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2022, ndërsa emëroi kandidaten Batisha Ibrahimi anëtare në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.