Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere

08.05.2024

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, kryesuar nga kryetari Armend Muja, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën u votuan disa raporte, të cilat ishin shqyrtuar në mbledhjet e kaluara.

Komisioni votoi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj, raportin me amendamente të Komisionit për Mjedis, Ushqim Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim për Projektligjin për performancën energjetike të ndërtesave, ndërsa raporti me amendamente i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport për Projektligjin për tekste shkollore, me kërkesë të anëtarëve të komisionit u hoq nga rendi i ditës.

Në vijim, me shumicë votash komisioni votoi raportin vjetor financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2022 dhe 2023, raportin vjetor financiar të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022 dhe 2023, raportin vjetor financiar të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2022 dhe 2023, si dhe raportin vjetor financiar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil për vitin 2022 dhe 2023.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për Projektin “Banim Social Adekuat”.

Detaje nga ky projekt dha zëvendësministri i Infrastrukturës, Jeton Raka, por që nuk ishin të mjaftueshme për anëtarët e komisionit, të cilët kërkuan që më shumë detaje rreth kësaj marrëveshje të japë edhe njëherë ministri i Financave, Hekuran Murati.

Komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin për ratifikimin e amendamentit të marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (“Marrëveshja”) - neni 1, të cilin e prezantoi ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili u mbështet nga të gjithë anëtarët e komisionit.

Po ashtu, në këtë mbledhje u shqyrtua edhe raporti vjetor i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2023, të cilin e prezantoi kryetarja e bordit, Zanita Halimi.

Por, në mungesë kourumi, votimi i këtij raporti u shty për mbledhjen tjetër, sikurse edhe shqyrtimi i Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën 2025-2027.