Në kuadër të angazhimeve që dalin nga fushëveprimtaria e tij, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, i prirë nga kryetarja Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, priti sot në takim njohës Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Kryetarja e Komisionit, Kryeziu – Hyseni, ambasadorit Hargreaves, i uroi mirëseardhje dhe suksese në punën e tij të re, ndërkaq, vuri në spikamë marrëdhëniet tradicionalisht të shkëlqyera ndërmjet dy shteteve.
Ajo u shpreh e bindur se këto raporte do fuqizohen edhe më tej, pasi që ato, tha ajo, burojnë nga një miqësi tashmë e dëshmuar dhe e kalitur me dekada.
Ngjashëm u shprehën edhe anëtarët e tjerë të komisionit, të cilët u angazhuan që bashkëpunimi i gjertanishëm të avancohet edhe në fusha të tjera, siç janë, ekonomia, kultura dhe arsimi.
Ambasadori Hargreaves, nga ana e tij, pasi falënderoi për pritjen, u shpreh i bindur se marrëdhëniet ndërshtetëror do të vazhdojnë dhe thellohen edhe më tej në një frymë miqësore.
Ai, po ashtu rikonfirmoi se, mbështetja ndaj Kosovës do të jetë e sinqertë dhe e pa kursyer, deri në integrimin e plotë në të gjithë mekanizmat ndërkombëtar.